Secondary Adv

Shqipëria partneri kryesor i eksporteve të Kosovës, deficiti tregtar kalon 6 miliardë euro

Shqipëria ka mbetur partneri kryesor i eksporteve të Kosovës gjatë vitit 2025, ndërsa ekonomia kosovare vijon të përballet me një deficit tregtar në rritje, që ka kaluar nivelin e 6 miliardë eurove.

Eksportet në rënie të lehtë, importet në rritje

Sipas raportit të publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës për tregtinë e jashtme 2025, eksportet e Kosovës arritën në 942.1 milionë euro gjatë periudhës janar–dhjetor, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.2% krahasuar me vitin 2024.

 

Në të kundërt, importet vijuan rritjen dhe arritën në 7.048 miliardë euro, ose 11.3% më shumë se një vit më parë. Si pasojë, deficiti tregtar u thellua në mbi 6.1 miliardë euro, me rritje prej 13.3% krahasuar me vitin paraprak.

 

Raporti vëren se mbulueshmëria e importeve nga eksportet ka rënë në 13.4%, nga 14.9% që ishte një vit më parë, duke reflektuar ritmin më të shpejtë të rritjes së importeve krahasuar me eksportet.

 

Shqipëria mbetet tregu kryesor për eksportet kosovare

Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria zë 17% të eksporteve totale të Kosovës dhe renditet partneri kryesor tregtar në eksport. Pas saj vijnë Maqedonia e Veriut me 14.7%, Gjermania me 11.4%, Zvicra me 10.5%, Serbia me 6.5% dhe Mali i Zi me 6%.

 

Në listën e 10 destinacioneve kryesore të eksporteve përfshihen gjithashtu Italia, Turqia, SHBA-ja dhe Austria. Raporti tregon se vendet e CEFTA-s vazhdojnë të mbeten tregu kryesor për eksportet kosovare, me 431.5 milionë euro ose 45.8% të totalit të eksporteve, ndërsa eksportet drejt Bashkimit Europian arritën në 316.2 milionë euro, ose 33.6% të totalit.

 

Ekonomia mbetet e varur nga importet

Në anën e importeve, Gjermania, Turqia, Shqipëria, Serbia, Kina, Italia dhe Greqia renditen ndër partnerët kryesorë të furnizimit të tregut kosovar.

 

Lëndët djegëse minerale dhe produktet e naftës përbëjnë 12.3% të importeve totale, duke mbetur kategoria më e madhe importuese. Po me të njëjtën peshë renditen edhe mjetet e transportit, ndërsa makineritë mekanike dhe pajisjet elektrike zënë një pjesë të konsiderueshme të importeve.

 

Raporti evidenton se ekonomia e Kosovës mbetet e varur nga importet industriale, energjetike dhe ushqimore, ndërsa eksportet vazhdojnë të jenë të përqendruara në pak sektorë kryesorë, kryesisht produkte me përpunim të ulët.

 

Sektorët me potencial zhvillimi

Oda Ekonomike e Kosovës identifikon energjinë, industrinë e plastikës, bujqësinë, industrinë ushqimore, metalurgjinë, drurin dhe teknologjinë e informacionit si sektorët me potencialin më të madh për zhvillim dhe zëvendësim të importeve.

 

Sipas raportit, investimet në energji të rinovueshme, përpunim ushqimor, industri përpunuese dhe teknologji mund të ndihmojnë në uljen e deficitit tregtar dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat